Pensionohet Fatmire Bicurri – Faturiste

Znj. Fatmire Bicurri është punësuar fillimisht në K.R.M "Çabrati" si faturiste në vitin 1983, duke vazhduar të jap kontributin e saj ndaj kësaj Kompanie për 10 vite të plota.

Që nga viti 1993 e deri më sot në po të njëjtën pozitë ka ushtruar me profesionalizëm detyrat dhe përgjegjësitë të cilat i janë besuar në K.R.U "Gjakova".

Gjatë kësaj periudhe ka kontribuar në qeverisje efektive të kompanisë përmes ekzekutimit dhe zhvillimit të programeve të brendshme të faturimit, si dhe përmirësimin e performancës së kësaj njësie. E vlerësojmë lartë kontributin e dhënë nga Znj. Fatmire Bicurri në Njësinë e Faturimit, dhe ndaj Kompanisë në tërësi!

Kryeshefi Ekzekutiv - z.Ismet Ahmeti dhe kolegët me të cilët punoi mbi 25 vite, me një ceremoni solide ndanë fjalët më të mira dhe falenderuese ndaj punës dhe personalitetit të Znj. Fatmire Bicurri, të cilës ju nda edhe mirënjohja për kontributin e dhënë si punëtore e K.R.U "Gjakova".

K.R.U "Gjakova" ishte me fat që të pati!

Të urojmë pensionim të mbarë, jetofsh gjatë dhe shpresojmë të kemi sa më shumë punëtorë të zellshëm si ju!

Njoftim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Gjakova" është në fillimin e punimeve për ndërtimin e kolektorëve kryesor dhe Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura për Qytetin e Gjakovës.

Ndërtimi i kolektorëve kryesor të ujërave të ndotura ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të Gjakovës dhe përmirësimin e kushteve mjedisore.

Me qëllim që projekti të realizohet me sukses dhe të plotësohen kriteret e nevojshme, kolektorët e kanalizimit të ujërave të ndotura janë të paraparë dhe dimensionuar vetëm për ujërat e ndotura (sanitare).

Kërkohet nga banorët - konsumatorët që brenda pronave të tyre të bëjnë ndarjen e ujërave atmosferike nga ujërat e ndotura (sanitare). Konsumatorët duhet të bëjnë instalimin e pusetës private për kanalizimin e ujërave të ndotura (sanitare), në mënyrë që të eliminohen kthesat gjatë kyqjes në pusetën inspektuese.

Ndarja e ujërave atmosferike nga ato sanitare brenda pronës tuaj (private), është në përgjegjësinë e banorëve, ndërsa jashtë pronës së tyre do të kryhet nga kompania punë kryese.

Nëse në të ardhmen, gjatë të reshurave paraqiten probleme me rrjetin e kanalizimit sanitar, si pasojë e tej-ngarkesës së kolektorëve me ujërat atmosferike, ne si Kompani nuk marrim asnjë përgjegjësi.

Na ndihmoni ta bëjmë qytetin tonë më të pastër.

Urime 28 Nëntori

Sot festojmë 28 Nëntorin, këtë datë me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin tonë.

28 Nëntori i vitit 1912, nuk ishte thjesht një akt i rastësishëm, në këtë datë të caktuar historike! Ishte vulosje e të arriturave tona si komb, në rrugën e vështirë të lirisë.

28 Nëntori, përveç gëzimit dhe krenarisë së madhe, duhet gjithmonë të na mbajë gjallë edhe ndjenjën e përgjegjësisë për përmbushjen e këtij testamenti. Një ditë e tillë e madhe, çdo herë na kujton vlerat e mëdha të kombit tonë.

Na bën të mos i harrojmë sakrificat e panumërta që na sollën lirinë, e të cilën pjesa më e madhe e kombit e gëzon sot dhe na obligon të punojmë shumë që kjo liri të shtrihet në çdo skaj të atdheut tonë.

Të gjithë konsumatorëve dhe punëtorëve të KRU Gjakova, Urime 28 Nëntori.

Sot është bërë nënshkrimi i kontratës për ekzekutimin e punimeve

Sot është bërë nënshkrimi i kontratës për ekzekutimin e punimeve - ndërtimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Gjakovë, me Kompaninë fituese të tenderit për ekzekutimin e punimeve, PASSAVANT - EE.

Nënshkrimi i kontratës u bë në mes të Kryeshefit Ekzekutiv të KRU Gjakova z.Ismet Ahmeti, Përfaqësuesit të PASSAVANT - EE - z.Rizvan Minea dhe Konsulentit Implementues të Projektit z. Friedhelm Peel.

Apel për Konsumatorë

Të nderuar konsumatorë,

Bazuar në situatën momentale të kushteve klimatike, temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të na përcjellin edhe ditët dhe muajt në vijim.

Rreziku i dëmtimit të ujëmatësve është i madh (plasaritja e xhamave nga ngricat).

Në fshatra rreziku është edhe më i madh, pasi që shumica e konsumatorëve nuk kanë puseta dhe ujëmatësit janë të ekspozuar direkt nga të ftohtit. Kjo ndikon përveç tjerash edhe në humbjen e një sasie të konsiderueshme të ujit.

Çdo pikë uji e kursyer sot është me rëndësi jetike për qytetarët.

Prandaj ne apelojmë te të gjithë konsumatorët që të marrin masat e nevojshme për sigurimin e pusetave (pastrimin e shahtave nga uji, mbështjelljen e ujëmatësve me lesh xhami apo edhe në mënyra të tjera rrethanore).

Njëkohësisht apelojmë të konsumatorët që mos të bëjnë shpenzime të panevojshme duke lënë krojet hapur në mënyrë që të furnizohen me ujë të mjaftueshëm edhe qytetarët që gjenden në pika më të larta.

Kompania falenderon të gjithë konsumatorët për bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Njoftim

KRU Gjakova njofton se gjatë ndërrimit të gypave të kanalizimit është shembur dheu dhe ka dëmtuar gypin e ujësjellësit.

Për këtë deri sa të ndërrohet gypi konsumatorët që banojnë në rrugët "Washington", "Mic Sokoli", "Lidhja e Prizrenit" dhe "Migjeni" nuk do të kenë ujë deri nesër me datë: 16/11/2018 në ora 10:00.

Lusim konsumatorët për mirëkuptim.